Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po monitoron me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit.
Kreu i Shtetit është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, Strukturat e Emergjencave Civile dhe Forcat e Armatosura, për të garantuar menaxhimin sa më efektiv të situatës dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Presidenti u bën thirrje banorëve që të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse, veçanërisht në rastet kur kërkohet evakuimi i shpejtë dhe i sigurt.
Ai thekson se në këto momente të vështira, jeta dhe siguria e çdo qytetari duhet të jenë prioritet.









