Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka lëshuar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Donald Trump në përgjigjen e tij të parë zyrtare ndaj protestave 13-ditore në vend. Pasi deklaroi se Irani “nuk do të tërhiqet” përballë protestuesve të cilët i përshkroi si “sabotatorë” dhe “vandalë”, ai i bëri thirrje presidentit amerikan të “përqendrohet në problemet e tij”.
Siç tha ai në mesazhin e tij të transmetuar në televizionin shtetëror iranian, duart e Trump “janë të njollosura me gjakun e më shumë se 1,000 iranianëve”, një referencë për luftën 12-ditore që shpërtheu në qershor me Izraelin, gjatë së cilës Shtetet e Bashkuara nisën sulme kundër territorit iranian.
Në të njëjtën kohë, ai parashikoi se presidenti “arrogant” amerikan “do të rrëzohet”, ndërsa duke u kthyer te tema e protestave, ai tha se “disa kanë dalë në rrugë për të falënderuar presidentin e një vendi tjetër”, duke nënkuptuar presidentin e Shteteve të Bashkuara.









