Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama ka siguruar se të gjitha familjet dhe individët që janë prekur nga përmbytjet do të dëmshpërblehen.
Ai ka theksuar gjithashtu investimet në rinovimin e trupave të emergjencës dhe strukturave të tjera që janë mobilizuar për të përballuar situatën.
“Kanë përforcuar argjinaturat që binin në 4 anët në furtunën e parë, kanë futur në punë 12 hidrovorë që kishin reshtur së punuari prej vitesh. Investimi më i madh është rinovimi i trupave të emergjencës, ushtrisë, policisë, energjisë, bujqësisë. Nga trupa pa kokë e bazë materiale dhe të veshur si s’ka më keq, në trupa që vihen në lëvizje automatikisht, sapo leximi meteorologjik paralajmëron furtunën. Nëse reshjet e pazakonta të ditëve të fundit ranë dhe përmbyten njësoj si vendet e rajonit, Shqipëria nuk reagoi njësoj si dikur, kur edhe një shi i zakonshëm bënte ujë dynjanë, sepse Shqipëria është krejt tjetër sot.
Kur erdhëm në qeveri, me malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e shiut, ishte he një pjesë nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. I shlyem dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit, por kemi përballuar me dinjitet jo vetëm detyrimet me përmbytjet, dhe pse sfidat e klimës janë bërë më të mprehta.”









