Situata e përmbytjeve në Njësinë Administrative Sukth vijon të mbetet problematike, me rreth 5,000 hektarë tokë bujqësore të përmbytur dhe lagjet 2, 3, 4, si dhe pjesë të tjera të zonës që ndodhen nën ujë.
Sipas raportit të Shtabit të Emergjencave të qarkut Durrës, pas daljes nga shtrati të lumit Erzen dhe çarjes së argjinaturës, situata është përkeqësuar edhe në Katundin e Ri dhe në zonën e Sukthit. Si pasojë, fshatrat Erzen dhe Fllakë janë përmbytur, ndërsa zona e Qerretit ka mbetur në rrezik.
Strukturat e emergjencës janë duke monitoruar nga afër situatën dhe po marrin masa për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të minimizuar dëmet.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh për banorët e zonës, të cilët janë përballur me pasojat e përmbytjeve të mëdha dhe mungesën e infrastrukturës të nevojshme për të frenuar daljen e ujërave.









