Reshjet e dentdura të shiut dhe moti i keq ka shkaktuar përmbytje dhe probleme të mëdha në të gjthë vendin, si pasojë e kësaj fermerët e Maliqit të cilët janë prekur nga përmbytjet këto muaj duan dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar.
Të revoltuar ata i janë drejtuar Këshillit Bashkiak të Maliqit ku me tone të ashpra kanë kërkuar llogari për mungesën e përgjigjeve dhe mbështetjes për situatën në të cilën gjenden.
Edhe pse Këshilli Bashkiak i Maliqit kishte thirrur një mbledhje jashtë radhe për të diskutuar në lidhje me situatën e përmbytjeve të nëntorit, shumica e këshilltarëve nuk mori pjesë duke bërë që të mos sigurohet kuorumi i nevojshëm për të zhvilluar këtë mbledhje por fermerët nuk hezituan për të shfaqur revoltën e tyre.
Teksa përplasnin duart në tavolina në shenjë proteste ata kërkuan përgjigje sa i takon dëmshpërblimeve për dëmet që kanë pësuar në nëntor. Në mbështetje të tyre janë shprehur edhe këshilltarë të opozitës.
Pas dëmeve të shkaktuara si pasojë e përmbytjeve gjatë nëntorit të vitit të kaluar, çarja e argjinaturës së lumit Devoll pak ditë më parë bëri që mijëra hektarë sipërfaqe tokë bujqësore të jenë nën ujë dhe fermerët të pësojnë dëme kolosale.









