Nikollë Ndoci, babai i Altin Ndocit që u arratis dje nga spitali i Durrësit, i bëri thirrje djalit që të dorëzohet. Ai tha, se djali u arratis sepse nuk kishte besim tek drejtësia.
“Ne si familje jemi shumë të shokuar. Ka 6 vite që jemi shokuar dhe tronditur, por këtë rast nuk e prisnim. Nuk e kam idenë për rrethanat. Kisha shumë shpresa tek drejtësia.
Ai nuk është shprehur se do të arratisej. Sa herë kam shkuar në burg për takime, të gjitha ata policët janë njerëz të nderuar, kanë zbatuar rregullat e tyre dhe unë isha shumë i kënaqur me ata.
Djali u akuzua për katër vrasje në Durrës. Këto janë rrethana të paqarta. 4-6 vite duke u hetuar. Nuk ka asnjë fakt për djalin. Kur u bënë vrasjet në Durrës, djali ishte në shtëpi. Gazetarët po na fusin në vëllavrasje, pasi e bëjnë fakt, por djali nuk ka lidhje.
I kam takuar në kafe (familjarët e viktimave) jam shumë miqësor nga ata. Me djalin fola për herë të fundit para tre ditësh kur i dërgova disa ushqime.
Nuk e di ku është tani, ta gjejë policia dhe të ma sjellë në shtëpi, sepse e morën në shtëpi dhe të ma sjellin në shtëpi ose ta çojnë atje ku ishte.
Djali e ka marrë këtë veprim duke mos pasur besim tek drejtësia. Djalit do i thoja “babi të do shumë, jemi shumë të tronditur dhe raspakitur dhe të lodhur”. Më mirë të dorëzohet” tha ai per Top Channel.









