Pak orë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës për lirimin e tre të dyshuarve për vrasjen e djalit të tij, babai i të ndjerit, Nevzat Çeço, shprehu zhgënjimin dhe revoltën e tij të thellë.
Ai tha se nuk mund të pranojë lirimin e personave që, sipas tij, kishin pranuar përfshirjen në krim dhe që tashmë ndodhen të lirë pa u ndëshkuar.
“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek vetë drejtësinë. Nuk më dhimbset jeta fare, por nuk i lë pa dënim. Do ta them troç: le të më arrestojnë, por nuk i lë, do t’i gjej dhe do ta bëj të drejtën e djalit tim,” u shpreh i revoltuar Nevzat Çeço.
Ai shtoi se vendimi i gjykatës e ka lënë të bindur se drejtësia nuk po funksionon, ndërsa kërkon që autorët të marrin dënimin maksimal për krimin e kryer ndaj të birit.









