Banorët e fshatrave Taç Lartë dhe Prodan në Kolonjë kanë dalë në protesta për ndërtimin e një centrali fotovoltaik, që sipas tyre ka prekur tokat e tyre të kullotave, të cilat janë burimi kryesor i jetesës.
Ata thonë se rreth 400 hektarë tokë janë përfshirë në projektin e kompanisë “Fortis Energy and Construction”, i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave më 25 qershor 2025, pa konsultim të komunitetit. Banorët ankohen për ndryshime në kufijtë pronësorë dhe mbivendosje të hartave kadastrale, gjë që rrezikon blegtorinë dhe jetesën e tyre.
“Ne jetojmë vetëm me blegtori. Nëse na marrin kullotat, fshati do të shuhej,” thonë ata. Kompania ka detyrimin që një pjesë të energjisë t’ia japë falas ministrisë së Energjisë, por banorët kërkojnë rishikim të projektit dhe qartësi mbi kufijtë e tokave.
Protestat pritet të vazhdojnë deri në gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e komunitetit dhe përdorimin e tokës.









