Babai dhe vëllai i Jurgen Karajt, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e prroit të fshatit Dares, i bëjnë apel shtetit për intensifikimin e kërkimeve.
Pavarësisht kërkimeve intensive nga forca të shumta policie dhe ekipe shpëtimi, në terren nga zona e Ulzës deri në vendin ku automjeti përfundoi në rrjedhën e prroit, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e Jurgenit.
Babai i tij, Shaban Karaj, dhe vëllai, Endrin Karaj, u bëjnë apel institucioneve shtetërore që të shtohen forcat dhe mjetet për gjetjen e Jurgen Karajt. Ata theksojnë se të vërtetën ia kanë lënë drejtësisë dhe kërkojnë vetëm zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Kërkoj të më gjejnë vëllanë e të ma sjellin në shtëpi,, ngjarjen e zbardh policia, dua nga shteti të më gjejë vëllanë të ma sjellë në shtëpi. Ta varros ta di ku e kam. Kemi kërkuar por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat. Është 9 ditë sot që nuk kemi asnjë shenjë prej tij. Nuk dihet fati i tij. I bëj thirrje kryeministrit që të kemi më shumë forca për ta kërkuar”, shprehet vëllai i Jurgen Karaj.









