Përpjekjet për mbrojtjen e Urës së Milotit, e cila është një nga strukturat më të rëndësishme të infrastrukturës në veri të Shqipërisë, janë shoqëruar me kritika të ashpra nga opozita.
Deputetja e PD-së, Elda Hoti, ka reaguar lidhur me ndërhyrjen emergjente të shpallur për këtë urë, duke e cilësuar atë një dështim të menaxhimit të fondeve dhe një tentativë për të mbuluar interesat klienteliste, ndërsa akuzon qeverinë se ka lënë qytetarët të braktisur dhe të rrezikuar.
Reagimi i deputetes së PD, Elda Hoti:
Ndërhyrja emergjente për mbrojtjen e themeleve në Urën e Milotit, me fond limit 1 milion euro.
Një tjetër tender i dyshimtë, i mbështjellë me mjegullën e aferave dhe interesave klienteliste, që ekspozon edhe një herë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie.
Sot, pas të ashtuquajturit investim emergjent realiteti flet vetë, këmbët e urës janë qartësisht të dëmtuara, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijon të jetë i bllokuar. Paratë publike janë shpenzuar, por siguria nuk është garantuar.
Ku shkuan 1 milion eurot?
Kush mban përgjegjësi për një ndërhyrje që jo vetëm nuk zgjidhi problemin, por la qytetarët të izoluar dhe të rrezikuar?
Kjo nuk është paaftësi. Kjo është grabitje e organizuar e fondeve publike.
Qytetarët e Milotit dhe gjithë veriu i vendit janë lënë të braktisur,
Infrastruktura po shembet, ndërsa përgjegjësit fshihen pas tenderëve emergjentë dhe heshtjes institucionale.
Një arsye se pse ura e Milotit është ne këtë situatë është edhe marrja pa kriter e inerteve.









