Avokati mbrojtës i Indrit Cërloj, drejtor i IEVP Durrës, i cili u la në masën “Arrest me burg” nga gjykata, ka njoftuar se do të ankimohet ky vendim.
Ai e ka cilësuar akuza ndaj klientit të tij si një interpretim të gabuar të ligjit, duke theksuar se përgjegjësia për arratisjen e Altin Ndocit është individuale.
Sipas avokatit, akuza e vetme ndaj Cërloj është që nuk ka verifikuar nëse i arratisuri ishte vizituar nga mjeku i burgut, një detyrim që ishte në kompetencë të mjekut që kishte nënshkruar rekomandimin për vizitën.
“Sot ishim në seancë për marrjen në pyetje të personit të arrestuar. Më parë ishte caktuar masa e arrestit në burg në mungesë, gjykata vendosi vijimin e masës. Jemi dakord që ka qenë një ngjarje e rëndë por përgjegjshmëria është personale dhe çmojmë se kemi të bëjmë me interpretim të gabuar të ligjit. Gjithë akuza e drejtorit të IEVP është që ka firmosur një shkresë që një i burgosur duhet të shkojë për një vizitë në spital dhe i kërkohet përse nuk ka verifikuar nëse është vizituar apo jo nga mjeku i IEVP. Ndërkohë që në momentin kur mjeku firmos kartelën me rekomandimin për vizitën, merret e mirëqenë që është vizituar. Vendimi do të ankimohet”, tha ai.









