Në komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme u diskutua sot lidhur me disa ndryshime në Kodin Penal. Në fjalën e tij kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca synojnë dekriminalizimin shpifjes për gazetarët profesionistë, por jo për profesionistët e shpifjes. Qëllimi i këtyre ndryshimeve, theksoi në vijim Balla, është mbrojtja e publikut dhe garantimi i standardeve evropiane në fushën e informimit.
Asociacioni i Gazetarëve ka reaguar duke deklaruar se profesioni i gazetarit nuk konsiderohet profesion i rregulluar në kuptimin e licencimit, regjistrimit apo miratimit nga shteti. Po sipas deklaratës, çdo përpjekje për të përcaktuar me ligj statusin e gazetarit apo për të vendosur mekanizma shtetërorë regjistrimi mbart rreziqe për kufizimin e lirisë së medias dhe për krijimin e barrierave administrative që mund të ndikojnë në ushtrimin e lirë të profesionit.
Deklaratë për “rregullimin e profesionit të gazetarit” nxitur nga Z.Taulant Balla dhe Znj.Klodiana Spahiu 23.01.2026
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka djekur me vëmendje diskutimet e zhvilluara më 23.01.2026 gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme, në kuadër të shqyrtimit të ndryshimeve në Kodin Penal që lidhen me dekriminalizimin e shpifjes.
Gjatë këtyre diskutimeve, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, deklaroi shprehimisht se Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik duhet “të hartojë bashkë me gazetarët ligjin për profesionin e rregulluar të gazetarit dhe punonjësit të medias”, duke theksuar se në këtë ligj duhet të përcaktohet edhe mënyra e regjistrimit të tyre. Në të njëjtën linjë, nënkryetarja e Kuvendit, znj. Klodiana Spahiu, u shpreh se profesioni i gazetarit duhet të trajtohet si profesion i rregulluar, duke iu referuar praktikës së profesioneve të tjera, si ajo e mjekëve.
AGSH vlerësojnë se këto deklarata, të bëra në një kontekst zyrtar parlamentar dhe gjatë një debati të ndjeshëm mbi lirinë e shprehjes, kërkojnë sqarim dhe reflektim të kujdesshëm, pasi prekin drejtpërdrejt parimet themelore të pavarësisë së medias dhe standardet europiane për lirinë e shprehjes.
Sipas këtyre standardeve, profesioni i gazetarit nuk konsiderohet profesion i rregulluar në kuptimin e licencimit, regjistrimit apo miratimit nga shteti. Çdo përpjekje për të përcaktuar me ligj statusin e gazetarit apo për të vendosur mekanizma shtetërorë regjistrimi mbart rreziqe për kufizimin e lirisë së medias dhe për krijimin e barrierave administrative që mund të ndikojnë në ushtrimin e lirë të profesionit.
Në vendet anëtare të Bashkimit Europian, gazetaria mbështetet mbi parimin e vetërregullimit, përmes kodeve etike, organizatave profesionale dhe mekanizmave të pavarur nga pushteti politik, në përputhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Krahasimi i gazetarisë me profesione të rregulluara si mjekësia nuk reflekton natyrën e veçantë të rolit të medias në një shoqëri demokratike.
AGSH vlerëson gjithashtu se lidhja e këtyre ideve me diskutimin për dekriminalizimin e shpifjes kërkon kujdes të shtuar, pasi standardet europiane theksojnë se mbrojtja e lirisë së shprehjes nuk duhet të kushtëzohet nga statusi profesional, regjistrimi apo njohja formale e gazetarit nga shteti.
Në këtë kuadër, AGSH nënvizojn se sfidat kryesore të gazetarisë në Shqipëri lidhen me nevojën për mbrojtje më efektive të gazetarëve, përmirësimin e kushteve të punës, adresimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e mekanizmave për hetimin dhe ndëshkimin e sulmeve ndaj gazetarëve, dhe jo me mungesën e rregullimit të profesionit.
Në këtë kuadër, AGSH konsideron të nevojshme që z. Taulant Balla dhe znj. Klodiana Spahiu të sqarojnë publikisht natyrën e këtyre deklaratave, nëse ato përfaqësojnë qëndrime politike personale, një orientim të përgjithshëm të mazhorancës parlamentare, apo nisma konkrete ligjore që pritet të ndërmerren në vijim.
AGSH inkurajojn Kuvendin e Shqipërisë që çdo diskutim mbi këto çështje të zhvillohet përmes një procesi të hapur, gjithëpërfshirës dhe në përputhje të plotë me standardet europiane, duke garantuar që reformat ligjore të forcojnë dhe jo të cenojnë lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e medias.









