Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka shprehur dhimbje dhe trishtim të thellë pas humbjes tragjike të infermieres Dëshira Hoxha, e cila ndërroi jetë dje, 26 janar, si pasojë e një aksidenti automobilistik në një zonë malore të Gramshit.
“Kujtimi dhe veprat e Dëshira Hoxhës do të mbeten të gjalla dhe të paharruara në komunitetin infermieror dhe përtej tij”, theksoi Urdhri, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e të ndjerës.
“Dëshira Hoxha ishte një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, e cila për pesë vite me radhë shërbeu me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë profesionale ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh. Përkushtimi i saj ndaj pacientëve dhe misionit fisnik të infermierisë e bëri atë një figurë të respektuar dhe të dashur, si nga kolegët, ashtu edhe nga banorët e zonës ku shërbente”, shprehet Urdhri për të ndjerën.









