Deputeti i PD, Tritan Shehu, sulmoi ashpër qeverinë gjatë një seance parlamentare, duke e krahasuar me një “sulltanat” dhe duke akuzuar se qytetarët trajtohen si “skllevër”.
Kritikat e tij përqendroheshin te menaxhimi i pasojave nga përmbytjet në Gjirokastër dhe gjendja e dobët e sistemit shëndetësor.
“Ku jemi sot? Dëmet janë dhjetë herë më të mëdha, infrastruktura është shkatërruar dhe nuk bëhet asgjë për t’i riparuar. Populli paguan nga xhepi mbi 50% të shpenzimeve shëndetësore, ndërkohë që rimbursimi i ilaçeve është vetëm 40-45%, kur standardet europiane kërkojnë mbi 90%. Qeveria rrëzoi propozimet tona për të përmirësuar situatën, me arrogancën e sulltanit, që i sheh qytetarët si skllevër. Por populli po zgjohet. Ata që ju i konsideroni të dobët, po mbushin rrugët dhe po kërkojnë llogari. Durimi ka mbaruar, dhe këto lëvizje nuk do të ndalen derisa të rrëzohet sulltanati që keni ngritur në pushtet,” tha Shehu.









