Pas tre ditësh bllokade, nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme, nis zhbllokimi i plotë i pikës kufitare të Qafë Thanës dhe të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Protesta ishte organizuar nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve që bllokuan 10 pika kufitare, duke kundërshtuar sistemin e ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.
Kompromisi u arrit pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili ka pranuar të lëshojë viza për transportuesit e Maqedonisë së Veriut. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, njoftoi se Brukseli ka pranuar kërkesat e tyre dhe do të ofrojë një strategji të re për shoferët profesionistë.
Megjithatë, transportuesit e konsiderojnë regjimin e vizave si të vjetëruar, por janë të gatshëm ta pranojnë këtë zgjidhje për shkak të mungesës së alternativave.
/5pyetjet.al









