Mbrëmjen e së mërkurës, një tragjedi e rëndë ndodhi në banesën e re të familjes Kola në lagjen Rughi të Italisë, kur katër anëtarët e familjes humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni. Arti Kola, 44 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 48 vjeçe, djali Hajdar, 22 vjeç dhe vajza Xhesika, 15 vjeçe, u gjetën pa shenja jete.
Sipas hetimeve, djali Hajdar kishte telefonuar emergjencën në orën 19:58 për të thënë se motra e tij ishte ndjerë keq, por ai ka gabuar adresën dhe kjo ka shkaktuar vonesë në ndërhyrjen e ambulancës. Ambulanca ka arritur në zonë pas 5 minutash, por ka kërkuar ndihmën e fqinjëve dhe karabinierëve për të lokalizuar adresën e saktë, duke vonuar ndërhyrjen. Në përpjekje për t’u futur në banesë, xhaxhai i viktimave dhe dy karabinierë janë ndierë keq nga mungesa e oksigjenit, duke kërkuar ndihmë. Zjarrfikësit kanë siguruar më pas banesën, por është konfirmuar se të gjithë anëtarët e familjes kishin ndërruar jetë.
Prokuroria ka nisur hetimet për verifikimin e instalimimit dhe kontrollit të kaldajës së re të banesës, për të përcaktuar nëse ishte instaluar sipas standardeve dhe kush e kishte kryer montimin. Tragjedia ka tronditur komunitetin e Porcarit, ku familja Kola ishte shumë e respektuar. Si shenjë zie, është anuluar parada e Karnavaleve, ndërsa në kishën San Giusto mbahet vigjilje lutjeje për viktimat. Shokët e vajzës Xhesika kanë mbledhur poezi dhe kanë vendosur lule para shtëpisë së familjes.









