Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka reaguar publikisht këtë të premte në lidhje me zhvillimet në çështjen e dosjes “Partizani” dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Malltezi ka nxjerrë në dritë disa mesazhe, të cilat ai i konsideron si prova për ndikimin e jashtëm në vendimmarrjen gjyqësore, duke përmendur komunikime të dyshuara mes prokurorëve dhe gjyqtares Irena Gjoka.
“Dy komunikime mes prokurorëve dhe gjyqtares janë të dokumentuara, dhe ato janë lidhur ngushtësisht me vendimet që janë marrë. E para është një komunikim me prokurorin Arben Kraja dhe Mehmet Rrumbullaku, që lidhet me një urdhër për Policinë. Duket qartë se më 20 tetor 2023, Arben Kraja dhe Mehmet Rrumbullaku kanë komunikuar për të nxjerrë vendimin që prokuroria kërkonte”, tha Malltezi.









