Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh për indeksimin me 2.5% të pagave dhe elementeve përbërëse të tyre në disa kategori të administratës publike për vitin 2026.
(Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.)
Krahas indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.
Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 dhe vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare nga 1 janari 2026.
Projektligj për dhënie amnistie
Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret, sipas dispozitave të këtij ligji.
Dhënia e amnistisë, sipas këtij ligji, udhëhiqet nga:
-parimi i humanizmit;
-arritja e qëllimit të dënimit;
-rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen;
-edukimi dhe rehabilitimi;
-mbrojtja e interesit publik;
-dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe gra;
-rritja e eficiencës në sistemin e drejtësisë;
-mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.
Në mbledhjen e sotme gjithashtu u miratuan emërime dhe lirime të disa funksionarëve:
- Dashnor Sula, ish-deputet i PD-së emërohet inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm.
- Afrim Qendro, prefekt i Qarkut të Tiranës, lirohet nga kjo detyrë.
- Shkëlqim Hajdari emërohet prefekt i Qarkut të Tiranës.









