Ka vijuar edhe këtë të shtunë protesta e banorëve të Rrjollit në Velipojë. Ata kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik nga biznesmeni Bashkim Ulaj, me pretendimin se po u merret padrejtësisht prona.
Paralelisht me protestën ata thonë se po e ndjekin çështjen edhe në rrugë ligjore. Banorët ndaluan për disa orë punimet e fadromave, por pas përplasjes me policinë dhe shoqërimin në komisariat të disa prej tyre, puna për resortin rifilloi sërish.
Dy ditë më parë, ata kanë protestuar përpara SPAK-ut, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të hetuar mënyrën se si është dhënë leja për ndërtimin e projektit turistik. Ndërkohë, kanë paralajmëruar një tjetër protestë të hënën, në orën 09:00, përpara Prokurorisë së Shkodrës.









