Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se Ukraina ka vendosur sanksione të reja ndaj prodhuesve të huaj të komponentëve që përdoren për prodhimin e raketave dhe dronëve ruse, të cilat vazhdojnë të sulmojnë objektet civile në Ukrainë.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky theksoi se prodhimi i këtyre armëve është i pamundur pa komponentët e huaj, të cilët Rusia vazhdon t’i sigurojë përmes anashkalimit të sanksioneve. Ai tha se janë ndërmarrë sanksione edhe ndaj kompanive që ofrojnë financime për sektorin e kriptomonedhave dhe minierave në Rusi.
Po ashtu, Zelensky bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën dhe shprehu shqetësimin se ndërkombëtarisht nuk ka përgjigje të mjaftueshme ndaj sulmeve të përditshme ruse, duke kërkuar raketa për mbrojtje ajrore dhe armë për luftëtarët ukrainas.
Zelensky shtoi se gjithashtu Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile, duke përfshirë edhe objektet e kompanisë ukrainase të naftës dhe gazit, Naftogaz, të cilat u goditën për herë të 19-të që nga fillimi i vitit.









