Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar për gjyqin që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-liderëve të UÇK-së.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Vengu shkruan se paraburgimi për 5 vite dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës.
Ministri shprehet se kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plabhë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes.
Vengu deklaron se stabiliteti i rajonit nuk ndërtohet mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët.
“Revolta ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – buron nga kërkesa që drejtësia të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme.
Paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërsa krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara.
Është evidente se përpjekja për të barazuar çlirimtarët tanë me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.
Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes. Në këtë formë, gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve.
E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen vetëm mbi drejtësi të besueshme, të paanshme dhe historikisht të përgjegjshme – jo mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët”, shprehet ministri Pirro Vëngu./ Vizionplus









