Kryeministri britanik, Keir Starmer u përball me një thirrje për dorëheqje nga një zyrtar i lartë i partisë të hënën, mes presionit në rritje pas publikimit të dosjeve Epstein dhe zbulimeve të fundit rreth ish-ambasadorit britanik në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson.
Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi shefi i tij i stafit dha dorëheqjen pas skandalit. Anas Sarwar, kreu i Partisë Laburiste ne Skoci, e cila përballet me zgjedhje parlamentare kombëtare në muajt e ardhshëm, bëri thirrje për dorëheqjen e Starmerit në një konferencë shtypi. Kjo ndodhi vetëm disa ditë pasi ai tha se një njeri që ai e quajti “mik” duhet të mbetet në postin e tij.
Një tjetër ndihmës i Starmerit jep dorëheqjen
Të hënën, një ndihmës i dytë i lartë në kabinetin e kryeministrit britanik dha dorëheqjen.
Kreu i komunikimit, Tim Allan, u dorëhoq vetëm dy muaj pasi mori postin, duke ndjekur gjurmët e shefit të stafit të Starmer-it, Morgan McSweeney, i cili dha dorëheqjen të dielën, duke thënë se qe rezultati i këshillës së tij dhënë Starmerit vendimi i diskutueshëm për të emëruar Mandelsonin si ambasador në Shtetet e Bashkuara në vitin 2024.
Starmeri ka pasur disa drejtorë komunikimi gjatë afërsisht 19 muajve të tij si udhëheqës i partisë, një periudhë e shënuar nga gabime të shumta në komunikim dhe ndryshime politikash që kanë gërryer popullaritetin e tij.
Zyra e kryeministrit tha të hënën, pas lajmit për dorëheqjen e Allan-it, se Starmeri ishte i përqendruar në punën që kishte në dorë dhe nuk kishte plane të linte postin e tij.
Aleatët mbeten në Kabinet, me një shumicë të madhe laburiste në Parlament.
Disa kolegë të Kabinetit u shprehën të hënën në mbrojtje të Starmerit.
“Nuk duhet të lejojmë asgjë të na shpërqendrojë nga misioni ynë për të ndryshuar Britaninë dhe ne e mbështesim kryeministrin për këtë,” tha zëvendëskryeministri David Lammy.
“Në këtë moment vendimtar për botën, ne kemi nevojë për udhëheqjen e tij jo vetëm në vend, por edhe në skenën ndërkombëtare”, shkroi Ministrja e Jashtme Yvette Cooper, ndërsa Kancelarja e Thesarit Rachel Reeves deklaroi se “ne po ndryshojmë rrjedhën e vendit” me Starmerin si Kryeministër.
Partia Laburiste mban pothuajse dy të tretat e vendeve në Dhomën e Komunave, 404 nga 650.
Kjo do të thotë që largimi i Starmerit përmes një vote mosbesimi ose zgjedhjeve të parakohshme është shumë i pamundur, përveç nëse vetë Partia Laburiste vendos të fillojë njërin ose të dy këto procese.
Nëse ndodh një ndryshim i kryeministrit, kjo do të ishte një betejë e brendshme për udhëheqje. Dhe në atë rast, ka pak kandidatë të dukshëm me mbështetje të qartë midis fraksioneve më pranë qendrës dhe atyra të majta të partisë./ DW









