Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka uruar sot të gjithë qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së shtetit.
Në mesazhin e saj, FSHF thekson se gjatë dy dekadave të fundit, Kosova ka arritur zhvillime të dukshme në shumë fusha, ku futbolli ka luajtur një rol të veçantë në promovimin dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Federata gjithashtu vlerëson marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin e frytshëm me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), të ndërtuara mbi respekt, solidaritet dhe synime të përbashkëta për avancimin e futbollit dhe përgatitjen e brezave të rinj sportivë.
“Ky bashkëpunim, i bazuar në vlera të përbashkëta dhe përvojë reciproke, do të vazhdojë të forcohet dhe do të kontribuojë në suksese të reja sportive për të ardhmen,” theksohet në mesazhin e FSHF-së.
Në fund, Federata Shqiptare e Futbollit uron Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj:
“Gëzuar 18-vjetorin e Pavarësisë, Kosovë!”









