Reshjet e shiut të intensifikuara gjatë natës kanë shkaktuar përmbytje në zonën e Murqinës, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore.
Banorët raportojnë dëme të mëdha në kultura, pasi uji ka mbuluar sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella.
Situata është më problematike në lagjen fundore të fshatit, e cila aktualisht është e izoluar, pasi rruga lidhëse është e kalueshme vetëm nga mjetet e larta.
Dëmtimi ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta, të cilat kanë shkaktuar rritje të nivelit të ujit. Banorët janë të shqetësuar për përkeqësimin e situatës, duke pasur parasysh parashikimet për motin.
Për momentin, autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencave janë në terren për të monitoruar dhe menaxhuar situatën. Qytetarëve u kërkohet të shmangin lëvizjet në zonat e prekura dhe të jenë të kujdesshëm për çdo ndryshim të mundshëm të situatës.









