Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve. Kërkesa e gjyqtarëve është pranuar, por Kuvendi duhet të gjejë formulën dhe të bëjë ligj të ri.
Kushtetuesja thotë se formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike ka pasjellë ulje të fshehur të pagave. Në këto kushte Kuvendi duhet të sjellë ndryshime për të përshtatur pagat e gjyqtarëve. Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogaritet nga 2023.
Gjyqtarët kanë kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila zbatoi kështu vendimin e një viti më herët të Kushtetutës dhe përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit.
Vendimmarrje e ligjvënësit e cila nuk i ka pëlqyer gjyqtarëve. Sipas tyre kjo llogaritje i ka ulur përfitimet dhe kjo është anti kushtetuese, dhe për këtë kërkojnë një llogaritje tjetër me bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë, por që u kundërshtua nga kryeministri Edi Rama.
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin për pagat e magjistratëve
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot në datën 17.02.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkues Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e neneve 1 dhe 2, pika 2, të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në kërkesë, vlerësoi t’i trajtojë ato në këndvështrim të nenit 138 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen”, përveçse në rastet e parashikuara shprehimisht nga kjo dispozitë. Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Shpërblimi financiar, si një nga garancitë thelbësore për pavarësinë e gjyqtarëve, ashtu edhe atë të vetë pushtetit gjyqësor, parim ky i lidhur pandashmërisht me atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, duhet t’i përgjigjet rëndësisë së funksioneve që ata kryejnë.
Në vendimin e saj nr. 35, datë 22.11.2022, kur shqyrtoi formulën e përcaktuar me ligjin nr. 50/2021, Gjykata theksoi se ligjvënësi, brenda hapësirës së tij normuese, ka diskrecion për formulën e referencës (në shërbimin civil ose në pagat e funksionarëve publikë të tjerë), duke qenë kjo një çështje që i përket oportunitetit të tij.
Megjithatë, në ushtrimin e kësaj kompetence në plotësimin e kuadrit ligjor, ai duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar, në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardet e përcaktuara në atë vendim, përveçse kur verifikohet përjashtimi i nenit 138, shkronja “a”, të Kushtetutës.
Në këto kushte, referuar përmbajtjes së nenit 138 të Kushtetutës, ashtu edhe vendimit të saj nr. 35, datë 22.11.2022, Gjykata shtroi për zgjidhje pyetjen nëse zgjedhja e formulës aktuale është bërë në përputhje me qëllimin dhe objektivin e synuar dhe në raport të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë. Për këtë qëllim, Gjykata vlerësoi se parimet dhe standardet nga të cilat duhet të udhëhiqet ligjvënësi në ushtrimin e diskrecionit për përcaktimin e pagës së gjyqtarëve, të cilat përbëjnë, njëkohësisht, edhe kufijtë e atij diskrecioni, synojnë, ndër të tjera: të ndalojnë uljen, të drejtpërdrejtë ose të fshehur, të shënjestruar të pagave dhe mbrojtjen ndaj instrumenteve që …përmbajnë “elemente diskrecionale”; që paga të jetë e mjaftueshme dhe në përpjesëtim me dinjitetin dhe rëndësinë e funksionit; të ndalojnë ose kufizojnë uljen e pagës dhe/ose mekanizmin e rritjes/indeksimit të pagës për shkak të inflacionit me qëllim që ajo të ruajë vlerën reale sipas kostos së jetesës. Me fjalë të tjera, parashikimet ligjore të formulës duhet të jenë objektive, të parashikueshme, të qëndrueshme dhe transparente, në mënyrë që të përjashtohet ndërhyrja arbitrare nga pushtetet e tjera dhe t’i shërbejnë pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Gjykata, në përputhje me standardet kushtetuese të lartpërmendura, vlerëson se është kushtetutshmërisht e lejueshme që ligjvënësi të parashikojë sisteme të ndryshme mes gjyqtarëve dhe funksionarëve të tjerë publikë apo që të ndryshojë formulën e llogaritjes së pagës së magjistratëve, por mbrojtja kushtetuese që ofron neni 138 i Kushtetutës nuk lejon rregullime që sjellin rënie të vlerës reale të pagës gjyqësore, të drejtpërdrejtë apo të fshehtë.
Gjykata konstatoi se paga e gjyqtarit/magjistratit e caktuar në vitin 2016 nuk ka pësuar ndryshim, por vetëm problematika të zbatimit të ligjit në praktikë për shkak të mënyrës së formulimit të normës ligjore. Nga ana tjetër, pas vitit 2016, ekonomia e vendit është rritur dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur; fenomenet globale (Covid-19 dhe lufta në Ukrainë) kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Autoritetet shtetërore, bazuar në këto faktorë ekonomikë, kanë ndërmarrë politika shtetërore për rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat. Pjesë e këtyre masave ishte edhe ligji nr. 33/2023, i cili pagën e magjistratit e la të pandryshuar në dallim nga paga e nëpunësve të shërbimit civil (referenca e vjetër e formulës) apo e Presidentit të Republikës (referenca e re e formulës), që pësuan rritje domethënëse. Në këtë kuptim, ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re sipas ligjit objekt shqyrtimi, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka sjellë ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë, arsye për të cilën ligji nr. 33/2023 duhet të shfuqizohet.
Në këto kushte i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, për të përshtatur pagën e magjistratit me standardet kushtetuese. Ky detyrim duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026. Gjithashtu, duke konsideruar se ligji nr. 33/2023 parashikonte rregullim prapaveprues pasi formula e re përllogaritej nga data 01.04.2023, Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogariten po nga data 01.04.2023.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës “a” të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3. Detyrimin e Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026.
4. Efektet e shfuqizimit sa më lart hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.
5. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.









