Barcelona u rikthye te fitorja në La Liga, duke mposhtur pastër Levanten me rezultatin 3-0. Sukses i rëndësishëm për katalanasit, që rimarrin kreun e renditjes, duke lënë pas Realin e Madridit që ndodhet me një pikë më pak.
Skuadra e Hansi Flick kishte nevojë për një reagim pas dështimeve ndaj Atletico Madrid në Kupë dhe Girona në kampionat, dhe gjithçka nisi mirë që në minutën e 4-t, kur Marc Bernal shënoi pas një krosimi të Eric Garcia.
Dominimi i katalanasve u vulos në pjesën e parë nga Frenkie de Jong, i cili gjeti rrugën e rrjetës për herë të parë që nga janari i vitit 2025, pas një asistimi të saktë nga Joao Cancelo.
Levante u përpoq të reagonte përmes kundërsulmeve, por portieri Joan Garcia ishte në lartësinë e duhur, ndërsa në minutat e fundit të takimit, Fermin Lopez vulosi shifrat në 3-0 me një goditje të fortë nga distanca.
Me këtë sukses, Barcelona shfrytëzon hapin fals të Real Madrid ndaj Osasunës për të marrë vendin e parë, ndërsa Levante mbetet në vendin e parafundit, gjithnjë e më afër rënies nga kategoria./ Klan.tv









