Një situatë alarmante është krijuar në Librazhd pas lëvizjeve të tokës që kanë dëmtuar shtyllën e tensionit të lartë 110 kV, lidhur me HEC Egnatia dhe nënstacionin e Librazhdit. Shtylla ka pësuar zhvendosje dhe fundosje të bazamentit, çka rrezikon sigurinë e linjës dhe mund të çojë në ndërprerje të energjisë elektrike.
Për të menaxhuar këtë problem, specialistët e Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) janë në terren për të monitoruar situatën dhe për të vlerësuar stabilitetin e strukturës. Po ashtu, ekspertët gjeologë po bëjnë një analizë të detajuar të shkakut të lëvizjes së tokës dhe rreziqeve të mundshme për përkeqësim të situatës.
Në kuadër të masave parandaluese, po shqyrtohen mundësitë për përforcimin e bazamentit të shtyllës dhe përdorimin e kabujve çeliku për stabilizimin e saj. Autoritetet theksojnë se linja është nën monitorim të plotë dhe çdo ndërhyrje do të bëhet me prioritet për të garantuar një furnizim të sigurt me energji për banorët e zonës.









