Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, ka deklaruar se Presidenti Donald Trump ende preferon një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore me Iranin, duke shpresuar që Teherani do ta marrë seriozisht këtë qëndrim gjatë raundit të ri të bisedimeve.
Në intervistën e tij në emisionin “America’s Newsroom” të Fox News, Vance theksoi se Trump është i angazhuar për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore, por se po synon ta arrijë këtë qëllim përmes diplomacisë, pavarësisht se ka “mjete të tjera në dispozicion.”
Vance shtoi gjithashtu se delegacionet amerikane dhe iraniane do të zhvillojnë një raund të tretë bisedimesh mbi programin bërthamor të Iranit në Gjenevë.
Ai shprehu shpresën që iranianët do ta marrin seriozisht preferencën për një zgjidhje diplomatike, megjithatë nuk dha një përgjigje të qartë nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të japë dorëheqjen.
/5pyetjet.al









