Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se prodhimet e para të industrisë ushtarake shqiptare, nën sloganin “Made in Albania”, do të fillojnë në muajin prill, duke krijuar mbi 300 vende pune për qytetarët.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha se janë nënshkruar 6 kontrata për prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe uniformave, duke përfshirë dronë dhe municione, me katër kompani prodhuese që do të marrin pjesë në këtë fazë të parë.
“Në prill kemi dronët në ish-uzinën e auto-traktorëve nga kompania KAYO. Në maj përfundon puna për fabrikën e tekstileve në zonën e Babrrusë, për prodhimin e uniformave me produktet e para të porositura. Katër kompani prodhuese janë pjesë e këtij procesi, ndërsa në korrik nisim prodhimin e municioneve të para,” tha Vengu.
Ministri gjithashtu bëri një pasqyrë të rekrutimeve në Forcat e Armatosura, duke treguar se qytetet Berati, Elbasani dhe Korça kryesojnë për nga numri i ushtarëve të rinj.
“Faza e parë e rekrutimeve ka përfshirë 252 ushtarë që kanë filluar stërvitjen. Praktikisht, FA është zgjeruar me 1,000 persona aktivë. Synojmë të rekrutojmë 363 rezervistë këtë vit, ndërsa për rezervistët kemi bashkëngjitur bursa. Në maj fillojnë rekrutimet për akademinë e aviacionit, ku do të vijnë helikopterët stërvitorë,” tha Vengu.









