Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 5 mars në orën 23:59 për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Enver Haliti, tha se mbledhja e komisionit ka nisur më herët, me qëllim që të mund të thirret seanca për votimin e presidentit gjatë ditës së sotme.
Për momentin, nuk ka kandidatura zyrtare për postin e presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje, që ka shumicën parlamentare, nuk ka propozuar asnjë emër, megjithëse spekulohet se Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Jashtme, mund të jetë një mundësi.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që presidenti të zgjidhet nga një propozim i tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk mund të nxjerrin kandidat për president për shkak të numrit të ulët të deputetëve, ndërkohë që kanë mbajtur takime të shumta ndërpartiake.
Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar bisedime me liderët e PDK-së dhe LDK-së, por ende nuk ka një marrëveshje për emrin e presidentit. LDK-ja ka propozuar dy opsione: një kandidat konsensual ose një marrëveshje politike që do të përfshinte kandidat nga të dy partitë.









