Belinda Balluku ka dorëzuar detyrën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ia kaluar Enea Karakaçit, i cili do të marrë drejtimin e këtij dikasteri.
Ajo ka reaguar për herë të parë në lidhje me akuzat e ngritura nga SPAK. Ajo theksoi se ka zgjedhur të heshtë, pasi beson se çdo çështje juridike duhet të ndjekë rrugën e parashikuar nga ligji.
“Unë nuk kam dhe nuk kam pasur kurre lidhje me korrupsionin, as nuk e kam penguar kurre, si ministre apo si zv/kryeministre, që të vazhdojnë hetimet. Nuk kam as dy, tre apo 300 apartamente, as jahta, as makina luksoze, as helikoperë. Këto janë gjyqe publike që bëhen pa teklif, por unë jam rritur me gjyqe publike, dhe ma mban kurrizi sepse jam mësuar me to që kur isha e vogël. Nuk e kam penguar drejtësinë dhe nuk do ta pengoj. Kam besim tek drejtësia. Më vjen keq që kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk e meriton. Më vjen keq për ndikimin që ka pasur kjo në qetësinë tuaj familjare dhe për humbjen e muajve në procese që nuk i meritonin,” shprehet Balluku.









