Në Ditën e Mësuesit, Presidenti Bajram Begaj ka mbajtur një fjalim të rëndësishëm në një ceremoni nderimi për mësuesit nga Shqipëria, Kosova, Mal i Zi dhe diaspora.
Ai ka theksuar rëndësinë e mësuesve në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare, duke i vlerësuar ata si “ambasadorët” më të çmuar të identitetit shqiptar.
Presidenti Begaj ka nënvizuar se arsimi dhe respekti për mësuesit janë investime të rëndësishme për të ardhmen e kombit.
“7-Marsi nuk është vetëm festë kalendarike. Është një moment reflektimi kombëtar. Sa investojmë ne në arsim, aq investojmë në të ardhmen tonë. Sa respektojmë dhe nderojmë mësuesin, aq respektojmë dhe nderojmë veten tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë. Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një kombi. Çdo fjalë e mësuesit është një investim për brezat e ardhshëm, dhe secili nga ju, me punën tuaj, ruani jo vetëm gjuhën, por edhe historinë dhe identitetin tonë.”









