Deputeti i ri socialist, Ardit Bido, përmes një video-postimi në rrjetin e tij facebook, ka reagur lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Delvinë, ku në një gjimnaz një nxënës u godit me armë të ftohta nga disa bashkëmoshatarë.
Sipas tij reagimi ka qenë i vonuar, pasi kjo ngjarje kërkon të zbardhet me përgjegjësi dhe të lihen anash llomotitjet dhe sulmet politike të Tiranës nga deputetët e opozitës.
Postimi i Bidos
Fëmijët e Delvinës nuk janë material për politikën e ditës❌
Prej disa ditësh po dëgjojmë deputetë që nuk kanë asnjë lidhje me Delvinën, që nuk e njohin qytetin dhe nuk kanë shkelur kurrë këtu, të cilët janë kujtuar të bëjnë politikë📢 me një ngjarje të rëndë që ndodhi në gjimnazin e qytetit.
Le t’i themi faktet me radhë, pa zhurmë.
Pak ditë më parë ndodhi një ngjarje e rëndë në gjimnazin e Delvinës, ku një nxënës u godit me armë të ftohta nga një bashkëmoshatar. Nuk reagova menjëherë, sepse një ngjarje e tillë kërkon zbardhje dhe përgjegjësi, e jo llomotitje politike nga Tirana.
Faktet janë të qarta:
• Agresori është proceduar nga Komisariati i Policisë së Delvinës për përdorimin e armëve të ftohta, jo për “gozhdë”, siç u përpoqën ta deformojnë disa deputetë që mezi presin të bëjnë politikë duke përdorur fëmijët‼️
• Shkolla ka vepruar menjëherë duke mbledhur komisionin e etikës dhe më pas komisionin disiplinor.
• Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar ka marrë masa duke pezulluar drejtuesit deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave disiplinore.
Pra, institucionet kanë vepruar dhe po ndjekin çdo hap të kësaj çështjeje.
Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Delvinës ka qenë menjëherë pranë familjes së fëmijës së lënduar, duke ofruar mbështetje morale dhe çdo ndihmë të nevojshme, që ai të kthehet në shkollë i shëruar dhe i sigurt.
Ndërsa disa deputetë në Tiranë llomotisin për kamera, këtu në Delvinë njerëzit merren me zgjidhjen e problemit.
Nxënësit që protestuan treguan karakterin e Delvinës, një karakter që nuk përkulet para askujt dhe asgjëje.
Por këtë karakter nuk mund ta përdorni ju që llomotisni nga Tirana për të bërë politikën e ditës, ndërkohë që nuk e njihni në asnjë qelizë karakterin delvinjot.









