Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar rritjen e çmimit të naftës dhe ndikimin e taksave të larta në këtë çmim, duke theksuar se qytetarët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta për produktet bazë.
Ajo ka nënvizuar se një pjesë e madhe e çmimit të naftës përbëhet nga taksat që shkojnë në buxhetin e shtetit dhe ka kërkuar masa të menjëhershme për uljen e këtyre taksave.
Reagimi i Xhixhos:
‘Çmimi i naftës ka arritur rreth 200 lekë për litër.
60% e këtij çmimi janë TAKSA.
Sot çmimi i naftës në vend ka arritur në rreth 200 lekë për litër. Por 60% e këtij çmimi janë TAKSA që i merr drejtpërdrejt buxheti i shtetit.
Sa herë rritet çmimi i naftës, rritet edhe TVSH-ja 20% që shkon në buxhet.
Qeveria pasurohet nderkohë që qytetarët varfërohen.
Sot qytetarët paguajnë:
• 27 lekë për litër taksë qarkullimi, që me TVSH shkon në rreth 32 lekë për litër.
Por absurdi nuk mbaron këtu. Qytetarët paguajnë dy herë për rrugët: një herë përmes taksës së regjistrimit dhe kolaudimit të automjeteve, rreth 70 mijë lekë në vit, dhe sërish përmes taksës së qarkullimit në çdo litër karburanti.
Nga kjo taksë qeveria mbledh rreth 300 milionë euro në vit, por për mirëmbajtjen reale të rrugëve shpenzon vetëm 55 milionë euro.
Në vend që të luftojë informalitetin, qeveria ka zgjedhur të mbushë arkën duke ngarkuar naftën me një nga nivelet më të larta të taksave në botë.
Ndërkohë rritja e çmimit të naftës rrit menjëherë edhe çmimin e bukës, miellit, makaronave, vajit dhe çdo produkti bazë ushqimor.
Për këtë arsye Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend propozimin për pezullimin e menjëhershëm të Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, një masë që do të ulte drejtpërdrejt çmimin e karburantit.
Qytetarët shqiptarë nuk mund të vazhdojnë të paguajnë për paaftësinë dhe grabitjen që bën kjo qeveri me TAKSAT.
Tabela: Pasqyron TAKSAT që kemi dhe shifni krahasimet…’
/5pyetjet.al









