Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të filozofit dhe sociologut të njohur gjerman, Jürgen Habermas. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka vlerësuar kontributin e Habermasit si një intelektual të shquar, duke theksuar rolin e tij në formimin e identitetit etiko-politik të Gjermanisë dhe Europës pas-naziste.
Kryeministri ka kujtuar gjithashtu mbështetjen e filozofit për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke e cilësuar atë si një veprim të ligjshëm dhe të nevojshëm për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të parandaluar gjenocidin.
Reagimi i plotë:
Me keqardhje mësuam dje për shuarjen e Jürgen Habermasit, një prej mendimtarëve më të shquar bashkëkohor. Një intelektual poliedrik që nuk i përtoi asnjëherë diskutimeve filozofike e politike, duke praktikuar gjithnjë besimin e palëkundur të tij në forcën e vetme të arsyeshme, atë të argumentit më të mirë. Kontributet e tij filozofike prekin të gjitha lëmitë tradicionale të hulumtimit filozofik, nga filozofia praktike tek ajo teorike, ani se më i njohur ishte gjithnjë për lëvrimet e tij në fushat tradicionale të së parës, pra ato të etikës dhe të filozofisë sociale e politike. Sidoqoftë, duke qenë një njeri i letrave në traditën më të mirë të Iluminizmit europian, një kapelë e vetme profesionale nuk i ra tamam asnjëherë. Sociologjia, ekonomia politike, dhe politologjia ishin disiplina ku Habermasi u ndie si në shtëpinë e vet po aq sa në katedrën e filozofisë. Mu për këtë arsye, neo-kantianizmi i tij dallonte jo pak nga ai i sivëllait të tij amerikan, John Rawls. Kanti i Habermasit është një Kant që ka shkuar në shkollë me mendimin shoqëror, historik e politik të Hegelit, Marksit e Weberit. Në fakt, nuk mund të ishte ndryshe për një student të Adornos e Horkheimerit, dy themeluesve të famshëm të Shkollës së Frankfurtit, që promovonin një teori kritike shoqërore të mbështetur në studime ndërdisiplinare të informuara si nga tradita e hulumtimit filozofik ashtu edhe ajo e teorisë shoqërore e politike. Përveçse si filozof e sociolog, do të kujtohet gjithashtu për kontributin e tij si polemist në debatet shoqërore që shënjuan formësimin e identitetit etiko-politik të Gjermanisë dhe Europës pas-naziste. Këto polemika i zhvillonte gjithnjë në frymën e demokracisë deliberative dhe duke e kuptuar vetveten si njëri nga qytetarët e kurrsesi si ekspert i privilegjuar.
Për publikun e gjerë shqiptar, Habermasi do të bëhej i njohur pikërisht në rolin e polemistit dhe intelektualit publik që nuk dinte të qëndronte indiferent ndaj temave të nxehta të ditës. Në fund të shekullit të kaluar, kur ne po kalonim ditët më kritike si popull i kërcënuar ekzistencialisht nga Jugosllavia e Tretë, përkatësisht Serbia e Millosheviqit, dhe kur opinioni botëror ishte i ndarë më dysh në lidhje me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, Habermasi arriti ta shquante dallimin thelbësor të kësaj ndërhyrjeje. Ndonëse e paautorizuar nga Këshilli i Sigurimit, sipas Habermasit, ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës kishte gjithë legjitimitetin e nevojshëm moral. Andaj, sipas tij, ajo do duhej të shërbente si nxitës për një reformë të mirëfilltë të OKB-së dhe të mbarë sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare në drejtim të krijimit të një rendi botëror ku zbatimi i Konventës së Gjenevës për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit do të shndërrohej në një obligim të mirëfilltë ligjor të bashkësisë ndërkombëtare. Që tragjedia e kosovarëve të mos përsëritej, argumentonte ai, do duhej të ecnim në drejtim të asaj që ai e quante “kushtetutëzim” të ligjit ndërkombëtar.
Por dje humbëm edhe një social-demokrat europianist që mbronte me zell idenë e një Europe të bashkuar e demokratike nën idealet e të drejtave të njeriut, lirisë, barazisë e solidaritetit. Tani që kjo ide ndodhet nën kërcënime të llojllojshme, zëri i Habermasit do t’i mungojë të majtës mbarë europiane. Megjithëkëtë, jam i bindur se vepra e tij do të mbetet një referencë e rëndësishme gjersa ballafaqohemi me sfidat e së ardhmes.
/5pyetjet.al









