Në një intervistë të dhënë në episodin e fundit të podcast-it “Flasim”, Kryeministri Edi Rama ka theksuar se qeveria ka ndërmarrë masa për të përballuar rritjen e çmimit të karburantit, duke ulur akcizën e naftës me 20%.
Sipas Ramës, kjo masë është një ndërhyrje e përkohshme që synon të lehtësojë barrën e përdoruesve të automjeteve, si dhe të ndihmojë për kontrollin e abuzimeve në treg. Kryeministri njoftoi gjithashtu ngritjen e një task-force për të monitoruar dhe adresuar çdo abuzim të mundshëm nga ana e tregtarëve.
“Çështja e çmimeve të karburanteve është një temë që kërkon vëmendje të vazhdueshme. Prandaj, kemi ndërmarrë hapa konkretë, duke ngritur një task-forcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Financave, për të rritur kontrollin dhe për të identifikuar çdo lloj abuzimi që mund të ndodhë në treg. Monitorimi ka vazhduar dhe deri tani nuk janë konstatuar abuzime, por duke parë luhatjet e çmimeve, është marrë vendimi për t’u futur në regjimin e bordit të transparencës, për të parandaluar çdo përfitim të paligjshëm në këtë situatë.”
Kryeministri shtoi se, përveç ndërhyrjes në akcizën e naftës, qeveria është duke punuar për një projektligj për rezervat strategjike dhe një plan të ri për të luftuar kontrabandën dhe evazionin në tregun e naftës. “Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë se këto masa do të japin rezultate konkrete në një periudhë të shkurtër,” tha ai, duke theksuar se ndërhyrja do të kontribuonte në një sistem më të drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët.









