Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, së bashku me kolegët e tij Albana Vokshi dhe Ervin Minarolli, zhvilluan një takim në Stokholm me Erik Ottoson, Kryetar i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian në parlamentin suedez.
Gjatë takimit, ata i paraqitën zyrtarëve suedezë shqetësimet e tyre për situatën politike në Shqipëri, duke përfshirë dyshimet për integritetin e zgjedhjeve të ardhshme, korrupsionin dhe ndikimin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama në fushën e drejtësisë dhe pluralizmit politik.
Reagimi i deputetit të PD, Oerd Bylykbashi:
Bashkë me kolegët Albana Vokshi dhe Ervin Minarolli, takuam sot në Stokholm z. Erik Ottoson, Kryetar i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian në parlamentin suedez, deputet i Moderata, parti simotër në EPP e drejtuar prej kryeministrit suedez.
Në takim bëmë një ekspoze të detajuar për farsën zgjedhore të 2025, narkoshtetin e Edi Ramës që raporte ndërkombëtare prestigjioze e damkosin si autokraci elektorale, për korrupsionin galopant dhe skandalet Balluku dhe AKSHI, zëvendësimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes e balancimit të pushteteve me partinë-shtet, simbiozën e pushtetit të Edi Ramës me kartelet e drogës, pastrimin e parave, sulmin mbi pluralizmin politik dhe opozitën si mekanizma për mbajtjen e pushtetit. Falënderuam për qëndrimin e qartë zyrtar të Suedisë në lidhje me bllokimin nga Rama të heqjes së imunitetit për rastin Balluku duke penguar hetimin me imunitet parlamentar.
Z. Ottoson, duke konfirmuar mbështetjen e Suedisë për integrimin europian të Shqipërisë, theksoi që për Suedinë ky proces duhet të jetë i bazuar në meritë dhe rezultate konkrete e reale. Ai na falënderoi për informacionet dhe faktet që zhbëjnë propagandën qeveritare të Ramës e që ndihmojnë për të hedhur dritë mbi zhvillimet shqetësuese në Shqipëri, si në parlamentin dhe instancat qeverisëse suedeze ashtu edhe më gjerë.









