Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar se procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo bëri të ditur se aktualisht është e rëndësishme të pritet si njoftimi ashtu edhe aktgjykimi përfundimtar i kësaj gjykate, përpara se institucionet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm.
“Ne tashmë kemi një njoftim nga Gjykata Kushtetuese dhe pritet edhe aktgjykimi, prandaj është shumë e rëndësishme që të respektojmë këtë proces dhe të presim deri në fund. Afati i vendosur me masën e përkohshme është 31 marsi dhe shpresoj që brenda këtij afati të kemi një qartësi më të madhe. Pasi të publikohet vendimi, duhet ta analizojmë me kujdes dhe të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi si institucione. Qëllimi ynë është të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, përmes bashkëpunimit dhe konsensusit politik, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Do të ishte shumë e rëndësishme që në ditët në vijim të arrihet një marrëveshje dhe Kosova të ketë një president të zgjedhur me mandat të plotë, duke shmangur situatat e përkohshme që nuk i shërbejnë stabilitetit institucional,” u shpreh Haxhiu.









