Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, përmes një postimi në facebook u shpreh se avokatët e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë rikonfirmuar se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë penale për përfshirje në çështjen CEZ-DIA.
Sipas tij, dëshmitë zyrtare të përfaqësuesve të lartë të CEZ-it hedhin poshtë çdo akuzë ndaj Metës dhe nxjerrin në pah mungesën e fakteve konkrete.
Postimi i Blushit
Transparenca është e vërteta. Presidenti Meta publikon prova të reja që faktojnë se sa trashë është montuar procesi politik kundër tij.
Ilir Meta: Për transparencë të plotë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar, po publikoj sot të plotë dëshminë e Z. Josef Hejsek dhënë më 20 dhjetor 2011 para prokurorit nën betim, e vetmja dëshmi ku ai flet për DIA-n, përpara një organi të procedurës penale.
Këtë deklarim të tij, prokurorët e SPAK-ut e fshihnin me këmbëngulje për një kohë të gjatë deri në seancën paraprake, kur e kuptuan që ne e dispononim këtë provë ligjore.
Siç e shihni, ne e kemi me vulë të OSHEE, jo vetëm këtë dëshmi por edhe të gjitha materialet që kanë të bëjnë me çështjen CEZ-DIA sepse një zyrtar i dikurshëm i ndershëm i OSHEE na i vuri në dispozicion, fill pasi kishte dëgjuar që Edi Rama me të tijët po përgatisnin një intrigë për të përfshirë Ilir Metën te kjo aferë, siç u paralajmërua edhe në letrën zyrtare të ish-Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Z. Spartak Braho më 27 shtator 2015.
Siç e shihni, këtu jo vetëm që nuk përmendet Ilir Meta por as Qazim Tepshi ish-ambasador, as Sali Berisha ish-Kryeministër, dhe askush tjetër.
Këtu tregohet se, jo vetëm procesi është bërë i hapur, por se vendimtare për vendimin që është marrë në Pragë kanë qenë referencat që janë paraqitur nga DIA e Uashingtonit, që sipas tyre kishte përvojë prej 4 miliard dollarë për mbledhjen e borxheve dhe garancitë që i ishin dhënë nga kompanitë amerikane në Çeki.
Po kështu, po publikoj të plotë dëshminë e dhënë nga Z. Tomas Pleskaç i cili ka qenë shefi i Z. Hejsjek në Pragë, ku është marrë vendimi për lidhjen e kontratës CEZ-DIA dhe ku do të shikoni përgjigjen e tij me letërporosi dhënë SPAK-ut, në të cilën konfirmon se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë lidhje mes tre personave, Ilir Metës, Qazim Tepshit dhe Kastriot Ismailaj.
Herën tjetër, do t’ju njohim me prova të reja që tregojnë se DIA ishte një krijesë amerikane dhe as ka patur dhe as mund të kishte lidhje me Ilir Metën.