Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka reaguar pas vendimit të Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e dy deputetëve të PD, duke akuzuar kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, për krijimin e tensioneve të vazhdueshme në Kuvend.
Ai theksoi se Balla është shpallur i paprekshëm dhe se Rama sfidon shoqërinë me këtë veprim.
“Taulant Balla është në mënyrë permanente pas çdo tensioni e konflikti në Kuvend. Ai e ka këtë detyrën kryesore, pastaj vijnë të tjerat si kryetar grupi i PS. Provokimi i Opozitës është mesa duket roli që i ka besuar Edi Rama dhe Taulant Balla po e kryen me zell të veçantë.
Nxitësi i tensioneve shpërblehet vazhdimisht. Kukullat e Ramës në Kuvend vendosin sistematikisht ndëshkimin e opozitarëve. Dhe ka vetëm falje për Taulant Ballën. Ai është mbi ligjin, mbi rregulloren dhe mbi parlamentarizmin.”
Këlliçi gjithashtu kritikoi shpalljen e Ballës si të paprekshëm ligjërisht dhe ftoi qytetarët të bashkohen më 17 prill për të kundërshtuar korrupsionin dhe lidhjet e krimit.









