Ish-Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët ortodoksë për Pashkët, duke shprehur urimet e tij për shëndet, paqe dhe lumturi për çdo familje shqiptare.
Në një postim në Facebook, Meta theksoi se Ngjallja e Krishtit është një simbol i shpresës dhe besimit që triumfon mbi çdo sfidë, duke sjellë energji dhe forcë për një të ardhme më të mirë.
Postimi i Metës:
KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!
Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve të krishterë ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Uroj përzemërsisht që kjo festë e shenjtë të sjellë sa më shumë shëndet, mbarësi, begati, paqe dhe lumturi në çdo familje shqiptare.
Ngjallja e Krishtit na kujton se, sado e fortë dhe e pathyeshme të duket e keqja, asgjë nuk mund ta ndalë dritën dhe të mirën që të triumfojnë mbi errësirën. Shpresa me besimin në Zot janë më të fuqishme se çdo sfidë.
Lutja e Krishtit në Kryq “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!” mbetet një mësim i përjetshëm se fuqia e dashurisë triumfon mbi gjithë veprat e këqija, intrigat, ligësitë, pabesitë dhe tradhtitë.
Le ta festojmë këtë ditë të shenjtë si triumfin e jetës mbi vdekjen, me besim të palëkundur, me zemra të mbushura me shpresë dhe me energji të reja për të ndërtuar një të nesërme më të mirë, që me patjetër do të vijë.
NGA MOT GËZUAR PASHKËN!
/5pyetjet.al









