Mes qyteteve të konsideruara pasuri botërore e UNESCO, apo plazheve të shumtë e Alpeve të veriut, ka plot destinacione të cilat meritojnë më shumë vëmendje nga turistët. Më poshtë po ju paraqesim 10 vendet që duhet të marrin më shumë vëmendje përgjatë 2019!
1. Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë afër qytetit të Librazhdit ende nuk është mjaftueshëm i njohur. Një nga shkaqet kryesore lidhet me faktin se ky park ka qenë një zonë e ndaluar kufitare përgjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Por me rreth 32% të florës së Shqipërisë që mund të haset në këtë park, pyjet e Rrajcës që janë tashmë pasuri botërore natyrore e UNESCO-s, apo edhe shpellat e eremitëve me piktura murale, ka ardhur koha që parku i Shebenikut të njihet nga të gjithë! Lexo foto-reportazhin tonë të dedikuar për më tepër.
2. Parku Arkeologjik i Finiqit
Mbetet një nga parqet arkeologjike më të nënvlerësuar nga turistët, ndoshta i eklipsuar nga afërsia me Butrintin. Parku i Finiqit ka rrënoja që datojnë që prej shekullit të tretë para erës sonë, me dëshmi të teatrit të madh, mureve të qytetit, apo objekteve të tjera të jetës publike. Ndodhet më pak se 20 minuta me makinë nga Saranda, ndaj nuk keni justifikim për të mos e parë! Për hartën kliko këtu.
3. Koplik
Të gjithë ata që vizitojnë Shkodrën, duhet të bëjnë një ndalesë dhe në Koplik, që ndodhet rreth gjysëm ore larg me makinë. Bujtina të ndryshme mikëpritëse, vinoteka moderne e të punuara plot pasion, dhe ushqim bio fantastik që nuk duhet humbur! Për më tepër, Kopliku ka kudo në sfond liqenin e Shkodrës, duke ofruar pamje tipike prej kartoline në të gjitha stinët! Lexoni reportazhin tonë mbi vizitën në bujtinat e ndryshme të zonës.
4. Lukova
Ky fshat është nga më të veçantët e intimët e Rivierës. Afërsia me Borshin, Qeparoin e Sarandën, bën që shpesh ky emër të harrohet gjatë verës, edhe pse mikëpritja e qetësia që gjen këtu, së bashku me plazhet përreth, do të duhej ta vendosnin shumë më tepër në hartën e turistëve.
5. Curraj i Epërm
Thethi e Valbona janë në krye të çdo liste të zonave më të vizituara të veriut të vendit, por jo shumë larg tyre ndodhet një tjetër fshat që mundëson një takim me natyrën e egër e të paprekur të veriut. Të gjithë ata që e vizitojnë e krahasojnë me Thethin e Valbonën të shumë viteve më parë, kur ende nuk shihje atë valë turistësh që ka sot.
6. Ishulli i Maligradit
Një tjetër thesar jo shumë i njohur për turistët është Ishulli i Maligradit në Prespën e Madhe. Ishulli në mes të liqenit tërheq vëmendjen me shkëmbin gëlqeror të pjerrët, e së largu ngjan tamam si qytet i vogël që pluskon mbi ujë. Maligradi do ju zbulojë dhe një surprizë të këndshme: Kishën e Shën Mërisë, e ndërtuar në vitin 1369 brenda një shpelle që ngjante vend i shenjtë.
7. Kalaja e Borshit (ose e Sopotit)
Në një nga kodrat e Borshit, 500 metra mbi nivelin e detit, gjendet Kalaja e Borshit, që daton që prej shek të IV para erës sonë. Tek sa kalaja është rindërtuar disa herë përgjatë historisë, vlen të përmendet se gjatë periudhës së Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami. Me shenjat e historisë që janë lehtësisht të dukshme, e me peizazhin e detit të pafundëm që duket së largu, ky vend e meriton të jetë një ndalesë e të gjithë turistëve që zgjedhin Borshin për pushimet e verës.
8. Hadrianopolis
Gjirokastra me shtëpitë tradicionale, Antigonenë apo Viroin, duket sikur ka lënë në hije Hadrianopolisin. Kjo pikë arkeologjike e periudhës romake ndodhet vetëm pak kilometra nga qendra e Gjirokastrës, e megjithatë të paktë janë turistët që ndalojnë edhe këtu. Teatri antik u ngrit gjatë shekullit të dytë të erës sonë nga perandori Adrian, i cili hodhi themelet e një qyteti antik pas djegies dhe shkatërrrimit të Antigonesë. Kur të vizitoni sërish Gjirokastrën, bëni një ndalesë dhe pranë fshatit Sofratikë ku ndodhet teatri. Për hartën kliko këtu.
9. Rehova në Kolonjë
Rrugica me kalldrëm, shtëpi prej guri e natyrë e qetë! Rehova duket se ka të gjithë ingredientët për të qenë një nga ato destinacionet tipike të fundjavës! E megjithatë ende ky fshat nuk gëzon atë famë që meriton. Rrëzë malit të Gramozit, fshati me 23 kishat përreth duket se është gati për të qenë pjesë e hartës së vendeve turistike. Gatimet speciale të shtëpive pritëse si lakrori me ithra apo me presh e gjizë, si dhe pispilia, janë vetëm disa nga shijet autentike të zonës që do provoni kur të jeni këtu. Për hartën kliko linkun.
10. Shpella Dafina, Karaburun
Kjo shpellë, ka krijuar në brendësi të saj një plazh vërtet unik! Imagjinoni një ditë të nxehtë vere, dhe zbulimin e kësaj shpelle ku mund të zhytesh e të notosh në ujëra të kristaltë, pa u shqetësuar për asnjë moment nga dielli apo nga bota e jashtme. Hidhini një sy një videoje që do ju lërë pa fjalë! /IntoAlbania/