Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka zhvilluar analizën vjetore të punës së saj duke pasqyruar treguesit sipas sektorëve. Kjo analizë është mbajtur në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Në fjalën e mbajtur për mediat, drejtori i Policisë në Lezhë, Oltion Bistri tha se ka patur rritje te numrit të ngjarjeve të regjistruara në qark dhe te zbulueshmërisë së tyre.
Në këtë analizë, prefekti i Lezhës, Gjokë Jaku, duke vlerësuar punën e uniformave blu kërkoi që kjo strukturë duhet të rrisë profesionalizmin e saj në komunikimin me qytetarët, duke lënë të nënkuptohet se në këtë pjesë ka ende punë për të bërë.
Gledis Nano iu ka rikujtuar atyre se kjo strukturë duhet të jetë ballë luftës me krimin, e jo vëzhgues i saj, të jetë më bashkëpunues dhe komunikues me publikun, e jo një uniformë që paraqet frikë, duke bërë të ditur se do të ketë përgjegjësi për ata që nuk kryejne detyrën sipas ligjit.