Më 2 mars do të mbahen zgjedhjet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Vendimi u mor në një mbledhje të së premtes të Komitetit Ekzekutiv të FSHF.
Ne letrën dërguar anëtarëve të federatës thuhet se brenda datës 10 shkurt duhet të jenë depozituar të gjitha kandidaturat për kreun e federatës si edhe emrat e delegatëve që do të marrin pjesë në asamble.
Presidenti në detyrë, Armand Duka, do të kërkojë një mandat të gjashtë në krye të futbollit shqiptar. Kandidaturën, edhe pse jo zyrtarisht, e kanë hedhur edhe gazetari Dritan Shakohoxha dhe ish-futbollisti dhe trajneri Sulejman Starova.