Dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutës janë zbuluar në Shijak. Tre persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim. Sekuestrohen qindra pajisje që shërbenin për prodhimin e kriptovalutës, të cilat ishin në gjendje pune në dy struktura.
Një strukturë ishte ngritur në fshatin Pjezë dhe struktura tjetër në fshatin Fllakë, Shijak. Të arrestuarit janë; A. Ç, 26 vjeç dhe Rr. D, 36 vjeç, banues në Tiranë si dhe L. Xh, 23 vjeç, banues në Lushnje. Si dhe u shpallën në kërkim E. H., M.Gj, E.H dhe Th.Z, banues në Tiranë.
HETIMET
Nga hetimet e kryera nga “Njësia C – për Hetimin e krimeve kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike duke krijuar përfitime monetare si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti përsa i përket të ardhurave duke shfrytëzuar, keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore .
SEKUESTRIMET
631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme, 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave, pajisje elektronike për shpërndarjen e internetit, pajisje kompjuterike të lëvizshme dhe dokumente të ndryshme të subjekteve, fatura financiare, shënime të ndryshme etj.
Deri më tani vlerësohet se për krijimin e këtij aktiviteti autorët kanë shpenzuar rreth 1.000.000 euro. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet. Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.
/5Pyetjet.al