Autoriteti i Konkurrencës hapi javën e kaluar një hetim të thelluar ndaj kompanisë Star Parking Albania, për shkak të dyshimeve të abuzimit me pozitën dominuese në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport).
Sipas këtij institucioni, ndërmarrja Star Parking Albania, e ofron këtë shërbim mbështetur në një marrëveshje ekskluzive që ka lidhur me shoqërinë koncesionare TIA. Gjatë procedurave të hetimit paraprak të kryera nga Autoriteti i Konkurrencës u konstatua se ndërmarrja Star Parking, në vitin 2020, ka trefishuar çmimin për tarifat e parkimit, duke e argumentuar me rritjen e shpenzimeve të riparimeve dhe të mirëmbajtjes në ate vit.
Megjithatë, Star Parking nuk ka vënë në dispozicion të Autoritetit të Konkurrencës informacion mbi kostot e lidhura specifikisht me telepaset, në mënyrë që të bëhet një analizë objektive nëse ka një abuzim me pozitën dominuese nëpërmjet vendosjes së çmimeve të padrejta të shitjes.
Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës evidenton se Star Parking ka përcaktuar kushte të pabarabarta në kontratat e qirasë të lidhura me ndërmarrjet të cilat operojnë në tregun e transportit të udhëtarëve me autobus nga Aeroporti i Tiranës. Një veprim i tillë mund të përbëjë një abuzim me pozitën dominuese, nëpërmjet vendosjes së kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Star Parking Albania SHPK në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport).
Koncesioni i Aeroportit të Tiranës ka qenë shpesh objekt i vlerësimeve të Autoritetit të Konkurrencës në dekadën e fundit, të lidhura kryesisht me vetë kompaninë koncesionare TIA, por edhe me kontraktorë të saj, si AIR BP apo, në këtë rast, Star Parking Albania. Ky institucion ka arritur në konkluzionin se tarifat e aplikuara nga kompania koncesionare dhe nënkontraktorët e saj kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e kostove të operimit të kompanive ajrore në këtë aeroport.
Këto kosto përcillen direkt tek udhëtarët, në çmime më të larta të biletave të fluturimit për udhëtimet nga ky aeroport. Rinegocimi i kontratës koncesionare me TIA mundësoi heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare, në këmbim të zgjatjes së afatit të kontratës. Vitin e kaluar u arrit të bëhej operativ Aeroporti i Kukësit, por ky aeroport ka ende një trafik mjaft modest. Sipas informacionit zyrtar në faqen e Aeroportit të Kukësit, në të operojnë dy kompani, Air Albania dhe Helvetic Airlines, që kryejnë fluturimeve me Zyrihun dhe Stambollin.
Vitin e kaluar nisi edhe projekti për ndërtimin e një aeroporti të tretë, pranë Vlorës. Megjithatë, për momentin, konkurrenca kundrejt Aeroportit të Tiranës është shumë e kufizuar dhe roli i kësaj strukture në tregun e fluturimeve në Shqipëri ngelet dominues./ Monitor