Kanë vazhduar intensivisht hetimet për shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e dy ditëve më parë në trotuarin para shtëpisë së Armand Dukës nga i cili u dëmtua dhe një pjesë e portës së jashtme. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se po ndiqen disa pista për të parë nëse presidenti i FSHF ka patur konflikte të mundshme më parë. Po hetohet dhe pista e inskenimit, pohojnë të njëjtat burime.
Mbrëmjen e një nate më parë, policia ndaloi 34-vjeçarin Arlen Hasanaj, i cili dyshohet se është ai personi i mbuluar me kapuç në kokë të cilin kamerat e sigurisë e kishin fiksuar duke kryer aktin. Gjatë marrjes në pyetje Hasanaj, që është fqinj i Dukës, e mohoi akuzën.
Shpërthimi ndodhi në kulmin e polemikave që ka shkaktuar përpjekja e Dukës për të marrë mandatin e gjashtë të tij në krye të FSHF. Pak orë para ngjarjes stafi i Dukës bëri publik një regjistrim të fshehtë ku dëgjohej kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj duke sulmuar Dukën me tonet më të ashpra në një mbledhje që kishte thirrur me shoqatat e futbollit të Tiranës, pjesë e trupës elektorale që zgjedh kreun e FSHF.