Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e ftuar në “Debat”, zbuloi numrin e mësuesve dhe nxënësve të prekur aktualisht me Covid-19 në të gjithë Shqipërinë.
“Ka një përmirësim të lehtë të situatës. Ndoshta, këto 5 ditë që shkollat kanë qenë të mbyllura kanë ndihmuar në ndërprerjen e zinxhirit të infektimeve dhe sot, nga 1100 mësues që ishin të infektuar ditën e premte, kemi 700 të konfirmuar me Covid-19. Sa i përket nxënësve, nga 1600 që ishin të premten, sot janë 800”, tha Kushi.
Në lidhje me mësimin “online” si plan B, ministrja e Arsimit tha: “Jemi në komunikim të përditshëm me Komitetin e Ekspertëve. Situata është nën kontroll dhe nuk jemi në kushtet që duhet të diskutojmë për mbyllje shkollash apo për mësim “online”. Por, kemi të bëjmë me situatë dinamike, që duhet monitoruar ditë pas dite, por ne jemi të përgatitur për çdo skenar: që nga mësimi normal, deri te mësimi “online”. I kemi parashikuar të gjitha, por jemi ende në skenarin e parë”.