Pasi përfaqësuesi ligjor i Presidentit Bledar Dervishaj kërkoi dorëheqjen e trupës gjykuese duke argumentuar se janë të paanshëm dhe u ka mbaruar mandati, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për një vendim.
Dervishaj po ashtu është shprehur se Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Përparim Kalo duhet të japin dorëheqjen pasi kanë konflikt interesi për këtë çështje.
Kryetarja e Gjykatës, Vitore Tusha i është përgjigjur kreut të shtetit duke thënë se nuk ka një kërkesë zyrtare, të cilën Dervishaj tha se e kishte dërguar 30 minuta përpara fillimit të seancës.
“S’kam ende asnjë kërkesë nga gjyqtarët për të hequr dorë nga kjo çështje. Ju si përfaqësues të presidencës keni kërkesë për dorëheqje apo për përjashtim gjyqtarësh?”, pyeti ajo.
Fiona Papajorgji kërkoi shpjegime për shkeljen e afateve që pretendon Ilir Meta.
“Ku është e përcaktuar afati tre mujorë që deklaroni ju për shqyrtim të çështjes. Ku e bazoni ju që çështja është komplekse dhe unike, cili parim prevalon sipas jush?“, tha ajo.
Që prej orës 10:00 po vijon në Gjykatën Kushtetuese seanca ku po shqyrtohet shkarkimi i Ilir Metës si President i Republikës.
Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri, organi më i lartë i drejtësisë do të zhvillojë një proces shkarkimi ndaj kreut të shtetit.
Presidenti mungon në seancë dhe përfaqësohet nga këshilltari për çështjet ligjore Bledar Dervishaj, i cili po relaton kërkesën e kreut të shtetit.