Gjermania dhe Kosova janë shumë afër finalizimit të marrëveshjes për njohjen e patentave. Vendimin final për këtë pritet që ta japin anëtarët e Bundesrat-it gjerman në seancën e 11 shkurtit 2022. Nga 69 anëtarë sa janë pjesë e Bundesrat-it, 35 vota duhet të jenë në favor të njohjes së patentave të Republikës së Kosovës. Votën “pro” pritet ta japin “Të Gjelbërit”, të cilët kanë një numër të konsiderueshëm të përfaqësuesve në Bundesrat.
Kështu ka thënë për Express, zëdhënës i partisë së “Të Gjelbërve” për çështjet e të drejtave të njeriut, Boris Mijatovic.
“Sipas informacioneve të mia, “Të Gjelbërit” në Bundesrat e mbështesin njohjen e patentave nga Kosova. Sido që të jetë, vendimi nuk varet vetëm nga “Të Gjelbërit”, por edhe nga partitë tjera të cilat kanë përfaqësues në Bundesrat”, ka thënë Mijatovic.
Ai ka treguar për punën e funksionimit të Bundesrat, dhe numrin e shteteve federale ku “Të Gjelbërit” kanë përfaqësues.
“Bundesrati punon ndryshe nga Bundestagu. Bundesrati është parlamenti i 16 shteteve federale brenda Gjermanisë. Përbëhet nga përfaqësuesit e 16 koalicioneve qeverisëse të shteteve federale. Secili nga 16 shtetet ka një numër të votave në mes tre dhe gjashtë (varësisht nga numri i popullsisë). Në total janë 69 vota, kështu që shumica krijohet me të paktën 35 vota. Secila prej 16 qeverive të përfaqësuara në Bundesrat vendosin në mënyrë uniforme dhe të pavarura nga njëra-tjetra. “Të Gjelbërit” përfaqësohen në 10 prej 16 koalicioneve qeverisëse”, ka shpjeguar Mijatovic për Express.
Zëdhënësi i “Të Gjelbërve” thotë se për shkak të kësaj përbërje të Bundesratit nuk është e mundur që të bëhet ndonjë parashikim për rezultatin e votimit.